“Njeriu mund të kryejë dy lloj arratish, eksodesh. Një arrati me trup dhe një arrati me mend. Ngandonjëherë ato gjenden edhe të kombinuara, por shpesh janë të ndara. Vihet re një raport i zhdrejtë në to. Sa më i izoluar fizikisht që të jetë njeriu, aq më i madh shansi që të emigrojë me mend. Ky kishte me qenë kushti i parë i eksodit me mend. Kushti i dytë ekzodik ka lidhje me dijen. Sa më i ditur të jetë personi i izoluar, aq më e largët arratia e tij. Në vendin tonë që ka jetuar gjysëm shekulli izolim, ka shumë njerëz të arratisur me mend, njerëz që shoqëria i thërret “ëndrrimtarë” apo edhe “të humbur”. Ka madje prej tyre që nuk ikën dot me trup as mbas viteve ’90. Disa ishin të varfër, disa të pamundur fizikisht, disa të tjerë i kishte zaptuar një farë përtacie. Një nga këto personazhe që gjithë jetën udhëtoi me mend dhe asnjëherë me trup është edhe “Noe”-ja ynë, Lekë Tasi.

Lekë Tasi është një artist pamor, muzikant dhe shkrimtar. Njeri i kulturës dhe i filozofisë. Lekë Tasi lindi më 1929, punoi për 15 vjet si violincelist në orkestrën shtetërore të Operës, më vonë u internua për 15 të tjerë në një fshat të humbur dhe mbas rënies së komunizmit u muar vetëm me art. Ky personazh rri në bash të një varke dhe reciton jetën e tij, para njerëzve që gjithë jetën kanë dashur të ikin, por nuk kanë mundur. Ai do jetë një Noe i mendjes që për një orë do i udhëheq njerëzit në një udhëtim të mendjes, drejt muzikës, drejt letërsisë e drejt imazheve…

Teksti: Lekë Tasi, Stefan Çapaliku dhe Ledian Gjeçi

Skenografia: Ergys Vela

Regjia: Stefan Çapaliku

21 Gusht 2020

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit DETMUR i financuar nga Programi Evropa Krijuese i Komisionit Evropian dhe zbatohet nga CODE Partners/Qendra Rinore Arka në partneritet me Teatri di Vita ne Bologna, Itali dhe Teatri X në Berlin, Gjermani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here